Tomas Myler humbi një penallti, por shërbey dy asistë, dhe Bajerni u kualifikua për në të tetat e finales së Kupës së Gjermanisë. Kampionët luajtën me formacionin më të mirë ndaj Augsburgut në “Alianc Arena”, duke fituar 3-1. Kapiteni Lahm shënoi pas 100 sekondash, Grin shtoi të dytin, ndërsa Alaba iu përgjigj ngacmimit të miqve që kishin realizuar me anë të kinezit Ji.
Mavraj ishte përsëri titullar dhe Këlni kapërceu Hofenhajmin, por me shumë vështirësi. U desh koha shtesë për t’ia dalë, pasi miqtë shënuan të parët me Hubnerin, vendasit barazuan me Risen, ndërsa me të nisur shtesat golin e fitores e shënoi i zakonshmi Antoni Modeste.
Gol shqiptar dhe vendimtar në Grojter Fyrt. Ishte Veton Berisha (në foto) që plotësoi përmbysjen e rezultatit në minutën e fundit. Kordoba shënoi për Maicin, ndërsa në 79’ barazoi Sararer (asist i Berishës), për të ardhur tek rrjeta e vetë Berishës.
Në ndeshjet e tjera, Astoria Valdorf shkaktoi të papritur duke eleminuar Darmshtatin (1-0), Hanoveri kaloi 6-1 Fortunën e Dyseldorfit, Volfsburgu fitoi 1-0 në Hajdenhajm dhe Shalke triumfoi 3-2 në Nyremberg.
B. Kuka