Pse s’është Lilaj në Kombëtare? Skënderbeut i fiket zëri ende pa dalë..

Pak kohë më parë pyetja ishte më e thellë; pse trajneri De Biazi,ai që iku, apo Panuçi, ai që erdhi,nuk e konsideronin Lirdon Latifin si një futbollist me talent për t’i dhënë më shumë hapësirë në Kombëtare.  Tani, që e kemi “sistemuar” Latifin” jashtë  kampionatit dhe ndërrimet e Panuçit janë larg orbitës  sonë, pyetja mbetet korçare, por ndryshon emër: përse shpërfillet shërbimi i Sabien Lilaj në ekipin përfaqësues?  Italiani i fundit që është ulur në stol pretendon se nuk i ka rënë në qafë Superligës me emrat që ka thirrur, por mbetet i ngrehur dyshimi se të gjithë trajnerët që ulen në divanin tonë , sikur ta kenë bërë me fjalë, talentet i kërkojnë larg tokës së Superligës. Dikush pyet me të drejtë se çfarë duhet të bëjë më shumë Sabien Lilaj me Skënderbeun në kampionat dhe në Europa Ligë për të merituar një ftesë!  Hajde beso po deshe se Panuçi , ndryshe nga De Biazi që arriti kulmin e tradhëtisë kur ia fali Rashicën ekipit të Kosovës,  e bën me kokën e tij listën dhe nuk pyet as për shefin e madh e as për sejmenët e tij. Po, pse mos e besojmë, kur gjithnjë na kanë treguar përralla sikur  lista del nga koka e trajnerit dhe shefat janë ..yjet që rrinë e vështrojnë.

Vazhdon të mos jetë Lilaj në listë, ashtu sikurse ndodhte dikur me Latifin që e harronin  dhe e vononin për ta thirrur, ndërsa  ekipi i tyre Skënderbeu e ka më të lehtë të ankohet për ndonjë arbitër në kampionat, sa të ngrejë zërin e protestës kundër zotave që zemërohen po i ..fole ne dorë.  Në Korçë, sa herë që lexojnë listën e Komëbëtares që bëhet gati për të luajtur, si kjo e radhës me Spanjën dhe Italinë,  vetëm nënqeshin ( kaq u lejohet)me disa emra që nuk mungojnë kurrë në listë , daç ta ketë emrin Xhani apo Kristian trajneri. As mos e mendoni një gjest  pretendues të klubit ndaj zyrtarëve kuqezi edhe në këto momente që kanë shkuar thellë në Europë dhe meritojnë të mos injorohen qoftë edhe nga djalli i zyrave. Kanë frikë? Mos ua nxjerrin inatin në kampionat ? Apo u del akoma  në ëndërr fundi i kampionatit kur “papa u bë pirat” dhe i la me gisht në gojë , me të drejtën për t’u qarë vetëm për arbitrin, aspak për sistemin e përdhjerë. Po qe kështu, më mirë mos jetë Sabien Lilaj në Kombëtare…

Sfidanti.al