PSZH-ja, gjatë mesjavës së kaluar, arriti një fitore bindëse 3-0 ndaj Bajernit të Mynihut, duke dërguar, në të njëjtën kohë, edhe një mesazh se ky klub është një pretendent serioz për titullin e Ligës së Kampioneve (LK) dhe se, tani, PSZH-ja është gati që të bëhet edhe klubi më i mirë në planet! Në fakt, ky klub francez, tani, ka një “dream team” (ekip ëndrrash) mbas ardhjes së Nejmarit dhe Kilian Mbapes, shto këtu edhe Kavanin, duke krijuar kështu sulmin më të mirë në Evropë, të paktën, tani për tani. Por, sidoqoftë, ka mbetur edhe një “vend” që duhet të përmirësohet.
Pronari i PSZH-së, Naser Al Kelaifi, ia ka vënë syrin Zinedin Zidanes dhe është gati që të bëjë gjithçka që ta sjellë trajnerin e Realit të Madridit në “Parkun e princave”, ndërkohë që është gati që t’i ofrojë atij një pagë më të madhe sesa marrin Zhoze Murinjo dhe Pep Guardiola. Duket se Al Kelaifi ende nuk e ka falur trajnerin e tanishëm, Unai Emeri, për humbjen e thellë 6-1 që PSZH-ja pësoi, gjatë sezonit të kaluar të LK-së, nga Barcelona. Sikurse thuhet, kryesia e PSZH-ja është e mendimit se Emeri nuk ka kapacitet për suksese të mëdha. Nga ana tjetër, Zidane e ka treguar, tanimë, se ai e di mirë sesi fitohen trofetë e mëdhenj me një ekip të mbushur me yje, kështu që Al Kelaifi konsideron se trajneri francez është, pikërisht, ai që i duhet tani PSZH-së.
Sfidanti.al