Të gjithë e mbajnë mend Kaleb Ekuban, sulmuesin afrikan të marrë hua nga Partizani sezonin e shkuar dhe që la gjurmë për sa kohë luajti me skuadrën e kuqe. Tashmë futbollisti me origjinë ganeze është pjesë e Lidsit, ndërkohë që në Shqiëpri ka mbetur si njësi matëse e cilësisë. Gjatë sesionit të fundit të merkatos, drejtuesit e ri të Partizanit, fillimisht premtuan se do të sillnin në Tiranë një zëvendësuas, i cili do ta bënte shumë shpejt ambjentin futbollistik vendas ta harronte Ekubanin. Ndërsa tani, kur vala e kritikave ka arritur kulmin pas rezultateve zhgënjyese, aq më tepër që skuadra e Iulianos nuk ka shënuar asnjë gol në tre ndeshjet e luajtura në këtë kampionat, është kërkuar të fitohet kohë. Sipas Moxhit, Edgar Çani është më i mirë se Ekuban, por megjithëse është shqiptar, i duhet ende për t’u përshtatur me kampionatin e kësaj ane të Adriatikut. Dhe ne mund të presim se jemi të ngeshëm, por ai që ka gjithnjë e më pak kohë në dispozicion, për të pritur rikuperimin e pikëve të munguara është pikërisht Partizani.
Ndërsa në Korçë kanë filluar të vënë bast, se sulmuesi i tyre i ri, Ali Soue, ja kalon Ekubanit dhe ndoshta këta i janë afruar disi. Eshtë ende shpejt për të arritur në përfundime të tilla, por sulmuesi tjetër afrikan, i mbërritur nga Italia po në formë huazimi, po tregon se është i duhuri për një skuadër ambicioze si Skënderbeu. Dhe Soue është nga ato raste, kur nuk është e nevojshme të nxisës opinionin për të pritur, sepse kjo është e nevojshme për të justifikuar më pas një blerje të dyshimtë. Futbollisti nga Gambia është përshtatur shumë shpejt, sepse është i talentuar dhe nuk ka pse të presë ndërrimin e muajve në kalendar. Ali mund të jetë Ekuban i këtij sezoni, pasi ka karakteristika të përbashkëta me ish-golashënuesin e Partizanit. Veç të tjerave janë përgatitur në të njëjtën shkollë, atë të Kievos, nga ku futbollistët e dorës së dytë mund të kthehen në yje të futbollit shqiptar.