Është dikush në Angli që shkëlqen dhe nuk e sheh trajnerin në sy!

Çdo trajner në botë do të pranonte një situatë të tillë. Futbollisti i tij më i mirë le të mos e shikonte në sy, por le të shënonte gola e të fitonte ndeshje. Kjo është situate e Pep Guardiolës me Sergio Agueron, ndërsa argjentinasi mund të bëhet që këtë të shtunë, shënuesi më i mirë i të gjitha kohëve tek Mançester Siti. Kun ka 175 gola në 259 ndeshje për “qytetarët”, ndërsa rekordmeni është Erik Bruk me 177. Aguero nuk është se ka shkuar shumë mirë me Guardiolën, burime në klub bëjnë me dije se nuk shihen shumë sy më sy, por kjo ka pak rëndësi. Sulmuesi ka shënuar 6 gola në 6 ndeshje të Premier Ligës duke qenë bashkëgolshënuesi kryesor.

Aguero hodhi poshtë mundësinë për të shkuar tek Çelsi. Po ashtu, hodhi poshtë një ofertë të jashtëzakonshme nga Kina, me vlerë 700 mijë euro rrogë në javë. Kjo tregon thelbin e karakterit të sulmuesit, si dhe besimin e madh që ai ka në vetvete. Argjentinasi mbetet i veçantë, nga ata që shkon me vonesë në stërvitje, por që shënon gola të shtunën. Frenk Lampard, që i tregon këto histori thotë: “Unë kam luajtur me më të mirët, dhe ai është në majë”.

Sfidanti.al