Luka Doncic, 18 vjecari slloven që po çmend botën e basketbollit

Sllovenia një vend me 2 milionë banorë, po shtpon pushtetin e saj në botën sportive. E tregoi këtë në evropianin e fundit teksa u shpall kampione e Evropës pas fitores 93-85 me Serbinë. E konsideruar si Hirushja e evenimentit, Sllovenia e trajnerit Kokoshkov mori fronin e kontinentit falë një brezi lojtarësh të talentuar, ku ylli që shkëlqeu më shumë ishte Luka Doncic,18 vjecari që është në radhët e Realit të Madridit, por që me shumë gjasa, e ardhmja do ta cojë drejt kampionatit më spektakolar të basketbollit në botë, NBA.

Me të në parket, Sllovenia dha spektakël, për këtë mjafton të pyesësh yjet e skuadrës spanjolle që në gjysmëfinale u turpëruan nga adoleshenti dhe armata qe e rrethonte. Ka qenë një evropian i artë për 18 vjecarin që sigurisht pati edhe një aleat tjetër me më shumë eksperiencë në këtë rrugëtim përrallash të Sllovenisë, Goran Dragic i cili u shpall edhe MVP i turneut sigurisht pa ia larguar dritat e prozhektorëve talentit Doncic. Finalja që ishte një derbi ballkanik me Serbinë, duhet të ishte mënyra më e mirë e kurorëzimit të këtij talenti të basketbollit evropian, por fati i tregua mizor. Deri në fundin e periodës së dytë, binomi Doncic-Dragic po i shkaktonte shumë dëme skuadrës së Sasha Djordjevic pavarësisht pranisë së Bogdanovic. por në fillimin e periodës së 18 vjecari u detyrua të lërë parketin për shkak të një dëmtimi në kavilje.

Nuk është te lehtë që një lojtar adoleshent i mësuar tashmë me rolin e protagonistit të shohë një pjese te finales se evropianit nga pankina, por për të në fund kjo nuk pati shumë rëndësi, pasi fitorja e medaljes së artë ia fashiti në trishtimin, ndërkohë që shokët e tij të skuadrës e mbajtën në krahë deri në podiumin e fituesit, që flet shumë për peshën që pati ky basketbollist te Sllovenia edhe pse po e përsërisim, është vetëm 18 vjec.

sfidanti.al