Bufoni i “ndarë” mes pesë ofertave, cilën do të zgjedhë ” i përjetshmi”

Portieri legjendar italian, Xhanluixhi Bufon, nuk do që të flasë shumë për të ardhmen e tij, por, sidoqoftë, ai, në vetvete, po mendon se cilën rrugë do të zgjedhë. Ai ka përballë vetes pesë oferta të mëdha, që nga ajo e vazhdimit të karrierës në fushë deri te ndonjë post i lartë funksionari në Itali ose në FIFA. “Mos më pyesni se çfarë do të bëjë në vjeshtë, unë nuk mendoj aq larg”, thotë Bufoni.

Pronari i Juves, Andrea Anjeli, përpiqet që ta bindë atë që të vazhdojë që të mbrojë portën dhe kjo është oferta e parë që i është bërë Bufonit. Bufoni është në dilemë, pasi do që të fitojë titullin e kampionit të Ligës së Kampioneve, ndërkohë që ka qenë, në dy raste, fare pranë, më 2015, kur Juvja humbi nga Barcelona dhe, më 2017, kur humbi nga Reali i Madridit. Oferta e dytë është një post drejtues tek Juventusi, pasi ky klub do që ta mbajë me çdo kusht atë, kur ai t’i japë fund karrierës në fushë. Pavel Medvedi është nënpresident dhe ka shumë mundësi që ai të bëhet president dhe kështu do të mbesë vakant vendi i nënpresidentit. Oferta e tretë vjen nga FIFA, pasi njeriu nr.1 i saj, Xhani Infantino do që Bufoni të bëhet “imazhi mbrojtës” i saj. Bufoni, në fakt, edhe mund të tërhiqet nga ky rol, pasi ai do të bëjë pjesë në ekipin që do të vendosë për të ardhmen e futbollit botëror. Oferta e katërt vjen nga federata italiane e futbollit, por shanset që ai të shkojë atje janë të vogla, pasi Bufoni është besnik ndaj Juves, për më tepër që endë nuk është harruar çështja “Kalçopoli”.

Oferta e fundit vjen nga Nju Jorku, atje, ku ndodhet Andrea Pirlo, pasi Siti amerikan, “simotër” e Mançester Sitit, synon që ta marrë Bufonin në radhët e veta gjë që do të përbënte një “bombë” të vërtetë, pasi në SHBA, sikurse dihet, jeton një koloni e madh italianësh, për të cilët Xhanluixhi Bufoni është një perëndi e vërtetë.

Sfidanti.al