Të zotët e punës nuk po flasin, ndërsa në emër të tyre po deklamon presidenti. Ende mister fati i kontratave të Lionel Mesit dhe Andres Iniestës tek Barcelona, pra e lojtarit kryesor dhe futbollistit të dytë kryesor. Gjithsesi, Zhozep Maria Bartomeu vazhdon “avazin” duke u shprehur se Mesi po luan ndërkaq me kontratën e re, dhe jo me të vjetrën. “Do të botojmë foton e firmës së kontratës së Mesit shpresojmë deri në fund të vitit, – tha Bartomeu, – por kjo kontratë është nënshkruar nga babai i tij, që ka edhe të drejtat e imazhit. Kontrata është nënshkruar deri në vitin 2021”.
Ky është një lajm shumë i mirë për tifozët dhe trajnerin Ernesto Valverde, ndonëse pozitat e Bartomeut vazhdojnë të jenë të dobëta pas kritikave të ashpra të publikut katalanas me largimin e Nejmarit dhe mosardhjen e Kutinjos. Mesi 30-vjeçar dhe Iniesta 33-vjeçar pritet të jenë pa kontratë në fund të sezonit, veçse Bartomeu siguron jo vetëm për Leon, por edhe për Andresin se do të qendrojë në “Kamp Nou”.
Sfidanti.al