“Pranvera e Milanos” ishte një shaka, Milani është një projekt kinez në krizë!

Ku shkoi projekti ambicioz i ardhur nga Kina? Nuk është fundi i botës, por është ndërprerja tronditëse e një iluzioni se suksesi në futboll blihet me para dhe arrihet lehtë. Milani i planeve të mëdha, i blerjeve të shumta, u mund 1-4 në fushën e Lacios, që nuk i afrohet dot këtyre fakteve.

Çiro Imobile me tre golat e tij shkëlqeu pa fund përballë kundërshtarëve me emër si Donaruma, Bonuçi, Montolivo apo ish-kapiteni lacial, Lukas Bilia, pa përmendur atë që quhet më i fortë se Gatuzo, Kesin. Në stadiumin “Olimpiko”, ku portieri i kombëtares shqiptare Thoma Strakosha ishte titullar për vendasit, Lacio kryesoi deri në 4-0, ku golin e katërt e shënoi Luis Alberto. Gjithçka mundi të bënte Milani ishte një gol ngushëllimi nga Montolivo, dhe tani mbeti 3 pikë prapa kryesuesve.

Në vendet e para janë Interi e Juventusi, ndonëse milanezët e tjerë nuk është se bindën shumë. Zikaltërit e trajnerit Spaleti morën tri pikët pasi mundën 2-0 Spalin në “San Siro”, veçse pa shkëlqyer. U desh një penallti e kthyer në gol nga kapiteni Ikardi në minutën e 27-të që vendasit të kalonin në epërsi, ndërsa siguria u arrit vetëm 3 minuta para fundit nga rrjeta e kroatit Ivan Perishiç.

Sfidanti.al