Ish-“djalli i kuq” Mark Hjuxh, armiku i ri i Zhoze Murinjos

Kishte kohë që ishte qetësuar, por nuk thuhet kot që “vesi del me shpirtin”. Zhoze Murinjo u bë edhe një herë provokator, të paktën ashtu siç u pa me një sy të jashtëm, dhe fitoi një armik të ri. Ky armik quhet Mark Hjuxh, ish-sulmues i shquar i Mançester Junajtidit, skuadrës që sot ka për trajner Murinjon.

Gjithçka ndodhi pranë fundit të ndeshjes në fushën e Stouk Sitit (2-2), kur Hjuxh po debatonte me gjyqtarët jashtë fushe, ndërsa Murinjo u afrua dhe hyri tek zona teknike e uellsianit. Si përgjigje mori një të shtyrë në gjoks dhe një sharje tipike angleze, por që nuk mund të shkruhet.

Si përgjigje, Murinjo u largua në fund të takimit pa kryer ritualin e përjetshëm të kampionatit anglez, pra pa i dhënë dorën trajnerit kundërshtar. Burime brenda Mançester Junajtidit bënë me dijë për mediat se “Zhoze nuk i jep dorën atyre që e ofendojnë”.

Hjuxh i shtohet një liste të gjatë armiqsh apo ish-armiqsh të Murinjos, ku përmenden emrat e Klaudio Ranierit, Arsen Vengerit, Rafa Benitezit, Pep Guardiolës, Karlo Ançelotit, Fernando Santosit apo, hera-herës edhe Sër Aleks Fergusonit.

Sfidanti.al