Haleluja e Superligës, java e parë dukej si javë e ..vjetër !

Kur flet i madhi edhe stadiumet heshtin! Dy ditë më parë, në  atë intervistën e çimentuar të fillimit të sezonit, presidenti  ka  paralajmëruar  popullin e mbijetuar të futbollit , se ky sezon do të jetë edhe më i bukur se i bukuri i vitit të kaluar. Ngaqë futbolli ynë luhet me një shije të tjetërsuar, duket sikur  s’ ka rëndësi shumë se çfarë ndodh në fushë. Ndalohet te pyetet,si ka mundësi ky fillim kaq i vdekur dhe rekomandohet të mos  bëhet dramë se kampionati nis me stadiume të braktisur nga tifozët, me arbitra që e fillojnë jetën atje ku e lanë tek pika e bardhë e penalltisë. Apo me futbollistët  që me nivelin e shfaqur,  përgënjeshtrojnë faktin se është java e parë, por duket sikur kampionati kishte kohë që kishte filluar, bile sikur e kishin gjetur fatin e tyre te gjithe..

Apo kur kujton fjalët  e trajnerit Ndreu të Kamzës debutuese,  frika kalon edhe tek javët që do të pasojnë: “  Ishtë një fushë mjerane në Kukës dhe nuk e di pse vazhdon të luhet në kushte të tilla”. Sapo dëgjon fjalët flakëruese të trajnerit të ekipit, që vjen nga një kategori më poshtë, kupton se ajo që quhet Superligë , është një superhall në orbiten e madhe. Aty  ku predikohet se stadiumet janë gati,  futbollistët janë stërvitur edhe më mirë, arbitrat janë pastruar nga “armiqtë me stemë”,  kupton se futbolli i kampionatit nuk është ai që shohim, por ai që flitet. Ai që duhet të  tregohet sa me  bukur nga të gjithë  pa patur merak se ushqimi edhe pse mban erë, duhet të genjejme se jemi me fat që po shijojmë biofutbollin , ku për çudi populli i stadiumeve akoma  s’po e kupton.

Sfidanti.al