Fati dhe mosha nuk janë me të, Venus Uilliams jashtë US Openit!

Në matematikë, 37-24 bëjnë 13. Në tenis, 37-24 bëjnë eleminim të Venus Uilliamsit në gjysmëfinalen e US Openit. Të dyja veprimet me zbritje kanë kuptim të njëjtë, pasi veterania e lavdishme amerikane nuk mundi të përballonte rininë e kundërshtares së saj, Sloun Stefëns, edhe kjo amerikane, që do të luftojë në finalen e parë Grand Slem të karrierës së saj. Stefëns ia doli 2-1 me sete, në një përballje shumë të fortë dhe ndaj një tenisteje që kishte fituar më parë 7 Çmime të Mëdha, duke grumbulluar një përvojë të jashtëzakonshme. E reja mori setin e parë 6-1, e vjetra iu përgjigj 6-0, por në setin e tretë shumë të luftuar, Stefëns vendosi “veton” me shifrat 7-5.

Një keqardhje e madhe për Venusin, edhe pse kënaqësia është po kaq e madhe për yllin e ri të tenisit. Motra e madhe Uilliams e nisi karrierën shkëlqyeshëm, pastaj u hijezua nga më e vogla, Serena, si dhe pati probleme fizike dhe psikologjike. Më në fund, u kthye vetvetja në 2017, por koha nuk punonte më për të. Arriti finalen në Australian Open dhe u mund nga Serena, arriti finalen tjetër të madhe në Uimbëlldon, por u mposht nga Garbinë Muguruza, mbërriti tani fare pranë “burimit” në Nju Jork, por “nuk piu dot ujë”. E tillë është ndonjë herë jeta, e pamëshirshme, por kjo nuk mund të ndryshohet. Nuk dihet nëse “mbretëresha” Venus do të ketë forca të synojë një titull Grand Slem vitin e ardhshëm kur të jetë 38 vjeç.

Sfidanti.al