Siria në prag të mrekullisë, sot mund të jetë në plej ofin e Botërorit!

Prej gjashtë vitesh vendi i tyre thuajse nuk ekziston. Luftë e tmerrshme në Siri që nga 2011-ta dhe futbolli nuk kishte si të mos e ndjente, veçse sot mund të ndodhë një mrekulli. Ekipi kombëtar sirian (ai i Sirisë së Asadit, pasi edhe pala tjetër e ka krijuar një skuadër) mund të sigurojë kalimin për në plej ofin e Kupës së Botës. Diçka e pamenduar për një ekip që luan ndeshjet e shtëpisë 7 000 km larg Damaskut, me 38 lojtarë profesionistë që kanë humbur jetën në luftë, dhe me 200 që janë arratisur për në liga të tjera.

Siria luan në fushën e Iranit kryesues, ndërsa duhet të përfundojë në vend të tretë, përpara Uzbekistanit, që pret Korenë e Jugut, në vend të dytë. Për fatin e sirianëve, Irani ka 21 pikë dhe është kualifikuar pasi mbetet vetëm 1 ndeshje dhe është 7 pikë larg Koresë së Jugut. Koreanojugorët kanë për çfarë të luajnë sepse me 14 pikë, rrezikojnë nëse humbin në Uzbekistan. Siria dhe uzbekët kanë nga 12 pikë.

Sfidanti.al