“Vaterloja” e Francës, ajo e Gjermanisë në Tiranë dhe kritikat për Panuçin!

“Një burrë është i pamposhtshëm kur mbron shtëpinë, gruan dhe familjen e tij”. Këto ishin fjalët e Loro Boriçit tonë të madh përpara ndeshjes së famshme ndaj Gjermanisë Perëndimore në 1967 në Tiranë, që përfundoi 0-0 dhe i la nënkampionët e botës jashtë finaleve të Europianit. Nuk dihet se çfarë fjalësh motivimi ka përdorur trajneri i Luksemburgut, Lyk Holc, me lojtarët e tij në përballjen e tmerrshme, tashmë përfundimisht të lavdishme, që përfundoi 0-0 në stadiumin e Tuluzës.

Nëse Boriçi do të mbronte shtëpinë në “Qemal Stafa”, Holc ishte në rolin e “pushtuesit” në impiantin “Stadiumi Bashkiak”, pra për Luksemburgun e tij ishte shumë më e vështirë. Gjithsesi, edhe kjo sfidë doli 0-0 dhe Franca e yjeve Pogba, Mbape, Lemar, Grizman, Lakazetë, Koshielni, Koman apo Zhiru, që luajnë në klubet më të mëdhenj të botës nuk mundi të bënte dot atë që bëri Shqipëria ndaj Luksemburgut.

Natyrisht, kritika do të ketë plot për “gjelat”, veçse futbolli tregoi edhe një herë anën e tij subjektive, atë që qoftë edhe një herë të vetme “Davidi e mund Goliadhin”, ndërsa dështimi francez na mëson sesa lehtë i merr era “shigjetat” për kuqezinjtë e Panuçit se nuk bënë ndonjë ndeshje të madhe ndaj Lihtenshtajnit, edhe pse e mbajtën topin 70 për qind.

Didie Deshamp nuk do të “pushkatohet” pas këtij dështimi, ashtu siç nuk ndodhi as me Helmut Shënin e madh në 1967 apo me yjet e tij të shkëlqyer si Franc Bekenbauer, Gerd Myler apo Zep Majer, të cilët vazhduan në rrugën e tyre drejt finales së Botërorit në 1970, titullit europian në 1972, titullit botëror në 1974 dhe finales së Europianit në 1976. Shumica e tyre ishin ata që u turpëruan në Tiranë, dhe po ashtu yjet e Francës mund të marrin titullin në Rusi, edhe pas turpërimit në Tuluz

Sfidanti.al