Akoma s’e mësuat, edhe Panuçi do të ketë “Babuçin” te koka!

Mos kërkoni qiqra në hell! Pse cili  dyshonte se Panuçi s’do të ishte binjaku i De Biazit në shumë rituale. Apo menduat se janë “vëllezër italianë” kur Xhaka dhe Ergys Kaçe vazhdojnë të humbasin nga sytë kuqezi. Sido që të jetë puna, mos harroni se në Shqipëri, qoftë italian apo qoftë edhe kinez  njeriu i stolit, ka një “mësues” që kujdeset për ta, sidomos kur nxënësi është fringo si Panuçi. Ndryshe nga De Biazi, që e kishte shumë merak altruizmin me median, Kristiani qysh në  debutimin e tij ka dhënë intervistë nga vendi i grumbullimit, pa patur frikë të zbulojë se me cilën media të krijojë flirt dhe të shkëmbejë qoka dhe cilën ta vendosë në radhën “ e qumështit”. Që të mos i biem në qafë ish-futbollistit të madh të Milanit,  trajnerit të vogël kuqezi, qysh në hapat e parë, le të kujtojmë se edhe Xhani në ditët e para të “shkollës kuqezi” i qeshte të gjithëve, por nuk i donte njëlloj…

E kanë thënë vetë presidentët e Superligës, madje edhe me zë të kokes, se kur trajneri është pa përvojë, e gjen më shpejt “babain” e lodrës. Falë zotit, në katedrën ku jep mësim  presidenti ynë,zoti Duka,  janë detyruar të bëjnë rolin e nxënësit edhe trajnerë-mësues si Oto Bariç dhe i ndjeri Kuzhe. Ndaj, mos flasim për ata që kanë nevojë për “master” siç është rasti i ish-milanistit. Që lepuri i madh del nga ferra e vogël, pra që karriera të katapultojë në një vend me pak prodhime futbolli, siç jemi ne, këtë do ta mësojë edhe italiani i fundit. Bile mund ta shijojë nëse tregon bindje dhe urtësi duruese ndaj zbuluesit të tij, presidentit-mbret,për të cilin nuk ka nevojë për prova, kur mendon se Xhani erdhi si një  trajner klubesh dhe iku si një trajner  “hollivudian”, duke  injektuar një virus qe na e donte trupi,  se kur gënjeshtrat janë sublime, e vërteta qoftë e mallkuar..

G.Sinemati