Raul Gonzalesin jemi mësuar ta shikojmë si futbollistin model dhe si njeriun model, por ndoshta kjo mund të ndryshojë. Mediat e Barcelonës shkruajnë se ish-ylli i Realit ka probleme me drejtësinë lidhur me detyrime prej miliona eurosh. “El Mundo Deportivo” shkruan se ish-numri i famshëm 7, i detyrohet 7.17 milionë euro aksionerëve të tjerë , dhe një gjykatë ka vendosur se është fajtor dhe se duhet të paguajë. Shuma totale arrin në 9.32 milionë euro, duke llogaritur interesat dhe kosto të tjera, përderisa ka kaluar një kohë e gjatë pa u bërë pagesa. Kompania, ndaj aksionerëve të së cilës Raul paska borxh, quhet “Europa Skar Sport” dhe gjykatësi që duhet të ketë marrë vendimin është Karmen Perez nga Madridi.
Më herët, problem me drejtësinë patën lojtarë të mëdhenj, mbi të gjithë Lionel Mesi, i cili doli fajtor për mospagimin e duhur të taksave dhe rrezikoi të bënte burg. Veçse, ligji në Spanjë sidomos për figura të tilla, është bërë me “rrugëdalje” ndaj edhe ylli i Barcelonës nuk bëri asnjë ditë burg, madje as babai i tij që e deklaroi veten fajtor për mospagimin e taksave.
B. Kuka