Uli Hënes: “Po më bie respekti për Barcelonën”!

Drejtuesit e Bajernit të Munihut nuk mungojnë asnjëherë që të komentojnë zhvillimet kryesore në skenën e madhe të futbollit, kështu që, gjatë një prononcimi të tij të fundit, presidenti i klubit bavarez, Uli Hënes, lëshoi disa kritika në adresë të Barcelonës. Si shkas shërbyen bisedimet për futbollistin e Borusias së Dortmundit, Usman Dembele, që, për hir të dëshirës për t’u shpërngulur me çdo kusht në Spanjë, nuk mori pjesë në stervitje me shokët e tij të ekipit, duke ngjallur zemërimin e bashkëlojtarëve të vet, tifozëve dhe  drejtuesve të klubit.

“Në rast se është Barcelona ajo që qëndron mbas sjelljes së Dembeles, atëherë, mua po më bie respekti që kam pasur për këtë klub. Nëse, në fund, Borusia do të fitojë 120, 130 ose 150 milionë euro nga transferimi, fitues do të jetë klubi dhe jo futbollisti. Të mos vish në stërvitje pa asnjë arsye, eshtë gjëja më e keqe që mund t’i ndodhë një futbollisti. Po të ishte Dembele lojtari i ynë, ai do të pagante si gjobë 100 000 euro për çdo ditë të grevës së tij!”, vuri në dukje presidenti i Bajernit, Hënes.

Safidanti.al