Ilir Daja ka besim tek Skënderbeu, edhe pse Dinamo jepet favorite absolute!

Suksesi një tur më parë duhet të harrohet. Jo të zhduket besimi që solli eleminimi i Mladës, por Skënderbeu duhet të jetë plotësisht i përqëndruar në sfidën e madhe të sotme ndaj Dinamos së Zagrebit. Në orën 19:00, në Kroaci luhet dueli i parë i plej ofit të Ligës së Europës ndaj vendasve favoritë absolutë.

A mund t’ia dalë formacioni shqiptar? Trajneri Ilir Daja e merr gjithçka me qetësinë dhe forcën e tij të karakterit. “Dinamo është një nga ekipet më të mira në këtë pjesë të Europës, ne të gjithë e dimë se si janë lojtarët në “Maksimir”, – u shpreh ai, në konferencën para ndeshjes, – Por ne nuk kemi ardhur këtu për të humbur, ne do të bëjmë maksimumin tonë për t’u kthyer në Shqipëri me një rezultat pozitiv”.

Lojtari i Skënderbeut, Marko Radash, produkt i akademisë së Dinamos, ishte në qendër të vëmendjes. “Mendoj se jemi më mirë se dy vite më parë, kur kishim 2-3 lojtarë cilësorë në aspektin individual, ndërsa sot jemi më grup, – tha kroati, – Dinamo ka lojtarë shumë të mirë, nuk besoj se mungesa e Sudanit do të jetë thelbësore”.

Skënderbeu zhvilloi dje stërvitjen në fushën e stadiumit “Maksimir” dhe trajneri besohet se do të luajë me skemën 4-1-4-1, edhe të kujdesshme, edhe të guximshme. Me Osmanin përpara mbrojtjes dhe me të gjithë lojtarët të gatshëm, si Shehi, Radash, Jashanica, Vangjeli, Lilaj apo Latifi, dyshimi i vetëm është në sulm. Daja duhet të vendosë mes Xhejmsit dhe Souesë.

Dinamo nuk do të ketë një nga lojtarët kryesorë, futbollistin ofensiv, El Sudanin. Ylli numër 1 i ekipit, Ante Çoriç, është në dyshim, por besohet se do t’ia dalë ndërsa trajneri Cvitanoviç pritet të luajë në sulm. Çmimet e biletave janë të arsyeshme për standardin e jetesës në Kroaci dhe rëndësinë e ndeshjeve, ato shkojnë nga 30 kuna deri në 70 kuna, që do të thotë nga 4 deri në 9.5 euro. Katër euro janë edhe për tifozët e pritshëm të Skënderbeut, në tribunën e jugut.

Dinamo jepet e sigurt për fitore, aq më shumë pas kualifikimit të dy viteve më parë, me kuotën 1.2 për suksesin, 5.7 për barazimin, dhe vetëm 17 për triumfin e korçarëve.

Sfidanti.al