Ibrahimoviç i dashuruar me Anglinë, Man. Junajtid shtëpia e fundit!

Zllatan Ibrahimoviç ka qenë gjithnjë si macja, që nuk ka pyetur shumë për “të zotin”, por vetëm për “shtëpinë”, ndaj edhe i ka ndërruar ato sipas dëshirës. Gjithsesi, kjo shtëpi e fundit që quhet “Old Traford” duket se i ka pëlqyer shumë suedezit aq sa të vendosë që ta vazhdojë karrierën tek Mançester Junajtid. Mediat britanike shkruajnë se për 24 orë pritet kontrata e tij e re, ndonëse nuk besohet të kthehet në fushë përpara nëntorit apo dhjetorit. Ibra pësoi dëmtim në prill, në gjysmëfinalen e Ligës së Europës, dhe riaftësimi u llogarit të zgjaste deri në janar 2018.

Shumë u fol për të ardhmen e tij, deri edhe për lënien e futbollit, por gjigandi 35-vjeçar nuk ka ndërmend të tërhiqet. Pas tri kupave fituar vjet me Murinjon, Superkupën e Anglisë, Kupën e Ligës dhe Ligën e Europës, Zllatan synon të tjera, saktësisht Championsin dhe Premier Ligën. Do të ishte një tjetër kulm në karrierë, ndërsa Zhoze Murinjo e ka shumë të qartë sesa i rëndësishëm është një personalitet i fuqishëm si ai i Ibrës në një ekip që do të ndeshet me superfuqitë e Europës, Realin, Barçën apo Bajernin.

Sfidanti.al