Jo më sparring, jo më stërvitje, por gjëra serioze. Edhe Poli Malinjaxhi, ish-kampioni i boksit, nuk dëshiron të mbetet pas në spektaklin shpesh herë të shtirë të sportit. Pasi u bë i njohur si ndihmës i Konor Mekgregorit, 36-vjeçari amerikan dëshiron të përfitojë nga kjo famë dhe të marrë çekun e parave që mendon se i takon. “Mekgregor, po thua se më ke mundur në stërvitje, – shprehet ai, – eja të ndeshemi në Ditën e Shën Patrikut, le të mos bëjmë lojra, por gjëra serioze, dhe të shikojmë se kush është më i fortë”.
Mekgregor dhe kampi i tij pohojnë se Malinjaxhi u hodh nokaut gjatë stërvitjes, dhe për këtë u postuan foto dhe një video, por amerikani thotë se videoja nuk është dhënë sa duhet dhe se ka manipulim. Fillimisht, Mekgregor ka ndeshjen me Flojd Mejuedhërin në 26 gusht në Las Vegas, ndërsa më pas, ndoshta mund të vendosë të ndeshet me Malinjaxhin, në Ditën e Shën Patrikut, në festën kombëtare të Irlandës, në 17 mars të vitit të ardhshëm. Ish-boksieri amerikan ka menduar që edhe ditën e ndeshjes ta ketë të veçantë për të fituar më shumë para.
Sfidanti.al