“Betejën e Froneve” Nagelsman-Klop, e fiton adoleshenti Aleksandër-Arnold

Luhej sfida më e madhe e plej ofit të Championsit. Jo shaka, Hofenhajm i Gjermanisë kundër Liverpulit të Anglisë, dhe dy trajnerë gjermanë përballë, Julian Nagelsman dhe Jurgen Klop! Njeriu i ndeshjes nuk ishte as ndonjëri nga trajnerët dhe as ndonjë nga yjet më të njohur në fushë, por një 18-vjeçar liverpulas i quajtur Trent Aleksandër-Arnold. Adoleshenti i lindur dhe rritur në Liverpul, besohet lojtar i një fanele të vetme në karrierë, shënoi një gol të shkëlqyer nga goditja e dënimit në minutën e 35-të duke hapur rrugën e triumfit të të kuqve.

Aleksandër-Arnold u shpall lojtari i ndeshjes jo vetëm për golin, por edhe për lojën, duke depërtuar vazhdimisht në të djathtë drejt portës kundërshtare. Mbrojtësi i djathtë ka 29 ndeshje në të gjitha nivelet e kombëtareve të Anglisë (nga U16 deri në U19), dhe pritet të jetë një yll i ardhshëm. Në fushën e Hofenhajmit, hero më herët kishte qenë portieri Minjole që priti një penallti të sulmuesit kroat, Kramariç, ndërsa në pjesën e dytë (74’), kapiteni Xhejms Milner shënoi golin tjetër për Liverpulin, me top të devijuar nga Havard Nortvajt. Në fund, Mark Uth, shënoi një gol shprese për Hofenhajmin e trajnerit 30-vjeçar Nagelsman, rrjetë që e bën më interesante përballjen e kthimit në “Anfild” pas një jave.

Sfidanti.al