Milani nuk ia lë asgjë rastësisë: Emisarët mbërrijnë në Shkup

Ashtu si edhe çdo ekip tjetër i madh, edhe Milani asgjë nuk ia lë rastësisë. Menjëherë mbas hedhjes së shortit për ndeshjet play off të Ligës së Evropës, emisarët e ketij klubi milanez, shtatë herë kampion i Evropës, shkuan në Shkup, me qëllim që të shohin gjendjen e stadiumit të tij, “Telekom Arena” (Filipi i Dytë), ku, më 24 gusht, do të luhet ndeshja e kthimit me Shkëndijën e Tetovës, si edhe të bëjnë rezervimet e hoteleve për ekipin, drejtuesit e klubit, sponsorët dhe miqtë e ndryshëm. Po ashtu, Milanin do ta shoqërojë në kryeqytetin maqedonas edhe një ekip TV që do të realizojë transmetimin e ndeshjes nga Shkupi.

Në fakt, UEFA e ndërroi vendin e ndeshjes së parë, kështu që ajo do të zhvillohet në Milano më 17 gusht. Duke pasur parasysh interesimin e madh për ndeshjen e Milanit kundër Krajovës rumune në fazën e mëparshme, pritet që në Shkup të vijnë shumë tifozë të Milanit.

Sfidanti.al