Në “Etihad” s’ ka vend për tre lojtarë, Guardiola me bisturi në dorë

Trajneri i Mançester Siti, gradualisht, po e formon ekipin e ri për sezonin e ardhshëm, ndërkohë që është koha që ai të heqë nga lista futbollistët, për të cilët Pep Guardiola nuk do të ketë nevojë. Ky trajner spanjoll, qëkur ka ardhur te Siti, e ka ndryshuar pothuajse plotësisht ekipin, duke shpenzuar para të mëdha për blerjet e reja, por edhe duke hequr “tepricat”.

Sidoqoftë, ende nuk dihet mirë ekipi, me të cilin Guardiola do të luajë sezonin e ardhshëm dhe objektiv kyesor i tij, tani, është Aleksis Sançez i Arsenalit. Po ashtu, thuhet se ai “do të çlirohet” nga shërbimet e tre futbollistëve, midis tyre edhe të Samir Nasrit që, në turneun e fundit, me sjelljet e tij, i ka irrituar bashkëlojtarët e tij. Pepi i ka bërë të ditur atij se, në të ardhmen, ai nuk do të ketë shumë hapësirë që të luajë. “Ai e njeh shumë mirë situatën dhe e di se, në mesfushë, ne kemi shumë lojtarë, kështu që vështirë se ai do të ketë ndonjë minutazh të madh loje në sezonin e ardhshëm”, tha Guardiola, duke pasur parasysh Nasrin që, sezonin e kaluar, e kaloi te Sevilja si i huazuar.

Më pas, pritet që të largohet edhe Mangala, për të cilin “qytetarët” paguan një shumë të madhe, por loja e tij la shumë për të dëshiruar. Futbollisti i tretë që pritet të largohet, është nigeriani Keleçi Inhenaço, kundër të cilit Guardiola nuk ka asgjë që ai të qëndrojë në ekip, por është vetë ky lojtar që do të largohet.

Sfidanti.al