Është e sigurt që do ta mbyllë vitin në vendin e parë të renditjes botërore të femrave. Anzhelikë Kerber është ylli i ri i tenisit, duke ulur nga “froni” kampionen e madhe, Serena Uilliams. Aktualisht, numri 1 në rruzull, gjermania shpreson t’i shtojë edhe një trofe të rëndësishëm 2016-ës. Ajo do të marrë pjesë si favorite në Finalet ËTA në Singapor, turneu ku konkurrojnë 8 tenistet e renditura më mirë, dhe shansi është i madh pasi Serena do të mungojë për shkak dëmtimi.
Njëzetetetëvjeçarja ka një short të lehtë në Singapor, pasi në fazën e grupeve do të ndeshet me debutueset Medison Kejs (SHBA) e Dominika Çibulkova (Sllovaki), si dhe me çeken Petra Kvitova. Në grupin tjetër janë kampionia në fuqi, Anjezhka Radvanska, kampionia e Rolan Garosit Garbinë Muguruza dhe finalistja e US Openit, Karolina Pliskova. Mbetet të përcaktohet e katërta, mes ruses Kuznjecova dhe britanikes Konta.
Kerber ka pasur deri tani një vit të shkëlqyer 2016-të pasi ka fituar dy Grand Sleme, Australian Openin dhe US Openin, dy trofetë e saj të parë të këtij niveli që nga fillimi i karrierës.
B. Kuka