Çelsi-Mançester Junajtid është supersfida e javës në Premier Ligën angleze. Dhjetëra e dhjetëra milionë teleshikues do të ndjekin përballjen më të fortë të kampionatit më të shikuar të globit, ku si gjithmonë yjet nuk mungojnë. Zhoze Murinjo kthehet të dielën si “armik” në “Stemford Brixh”, dhe Antonio Konte do të përpiqet ta mundë. Cilët do të jenë lojtarët më të rëndësishëm të dy trajnerëve? Tabloidi “Deili Meil” bën një formacion të kombinuar të të dyja skuadrave.
De Gea në portë. Numri 1 i Junajtidit ka arritur nivele të tilla që, sipas gazetës, e bëjnë të jetë i dyti më i miri në botë pas Manuel Nojerit. Mbrojtës i djathtë, për shkak të krizës së Branislav Ivanoviçit, vendi i takon Antonio Valensias po të Junajtidit. Një nga qendërmbrojtësit është përsëri i Mançesterit, Erik Beili, që u ble për 30 milionë stërlina.
Qendërmbrojtësi tjetër duhet të jetë patjetër Xhon Terri. Kapiteni i përjetshëm i Çelsit nuk mund të mungonte as në një sfidë të “fantafutbollit”. Gjithsesi, për mbrojtësin e majtë, londinezët duhet të dorëzohen përsëri përpara Deili Blindit, një holandez tepër i talentuar, që di të luajë në sulm siç pëlqejnë tifozët në “Old Traford”.
Në qendër të mesfushës, Çelsi ka blerjen e rëndësishme të bërë nga Leiçesteri, N’Golo Kantenë, me francezin që vrapon pa fund dhe pason shumë saktë. Në krah të tij, Murinjo ka me krenari blerjen më të shtrenjtë të botës, Pol Pogbanë, edhe ky francez. Në të djathtë të mesfushës, Uillian i Çelsit, dhe në të majtë Eden Hazar po i bluve të Londrës.
Sulmi ndahet mes dy futbollistëve me shumë personalitet. Çelsi ofron Diego Kostën, ndërsa Junajtid ka të shquarin Zllatan Ibrahimoviç. Përfundimisht, Mançester Junajtid fiton me 6 lojtarë ndaj 5 të Çelsit, por e rëndësishme është kush do të fitojë të dielën në orën 17:00, në “Stemford Brixh”.
B. Kuka