Presidenti i Federatës së Futbollit të Spanjës, Angel Maria Villar, dhe i biri i tij, Gorka, janë arrestuar në kuadër të një hetimi për korrupsion, raportojnë mediat spanjolle.
Villar u arrestuar nën dyshimin për përvetësimin e fondeve, raportojnë agjencitë e lajmeve El Pais dhe Efe, transmeton Express.
Villar, dikur futbollist i Kombëtares së Spanjës, ka qenë president i Federatës së Futbollit të Spanjës prej vitit 1988.
I biri i tij Gorka është në mesin e një numri njerëzish tjerë të arrestuar sot, raporton AFP.
Gjykata e Lartë e Spanjës ka thënë për Reuters se njëri nga gjykatësit dhe prokurorët anti-korrupsion të saj janë duke e udhëhequr hetimin.
Në kohën e Villarit si president i Federatës, përfaqësuesja e Spanjës në konkurrencën e meshkujve i ka fituar dy tituj të Kampionatit Evropian si dhe Kupën e Botës në vitin 2010, duke u bërë forcë dominuese në futboll.