Shiriti i kapitenit në Vlorë, apo cili do të ulet i pari në autobus?

Sipas legjendës së vjetër , në Vlorë, krenaria tregohej më e plotë  kur vlonjati i binte gjoksit dhe kumbimi që dilte ishte një ritual kampion. Ndërsa në kohën e demokracisë, labët e futbollit, ata që drejtojnë dhe ata që luajnë në fushë , duket se kanë meritë për ndryshimin e legjendës, kur gjoksit i bien përsëri, por më shumë për hall sesa për lavdi. Ditët e verës, në ato që konsiderohen orët e paqtimit, kur shumica e kanë kokën në det apo në pishinë, tek Flamurtari ka lindur një hall gjeneze: cili do të jetë kapiteni i ekipit sezonin e ardhshëm? Për ata që e kanë parë disa herë filmin  “Halli hallit nuk i ngjan tek Flamurtari”, shiriti i komandantit apo “njeriu i spaletës” në fushë,  duket si një serial i sfocuar, jashtë radhe, një problem i vogël, madje tejet  liliput. Mjerë ata që mendojnë kështu, njëlloj sikur të driblohesh pa top. Aq sa mund të thuhet se nuk e njihkan fare psikozën e ekipit, ku loja me gradat  peshojnë më shumë se ato tekniket me topin..

Sikur të puthet dielli me tokën, s’ka për të qënë kapiten përsëri Franc Veliu! Kjo është thirrja më e freskët  e tifozëve, këto ditë ku armiku më i madh  duket sikur  është dielli, në fakt na qënka lecka, ajo që zbulon se cili do ulet i pari në “autobuzin” e futbollistëve që zbarkojnë në fushë. Kush nuk e di, le ta mësojë, ky është problem madhor në  ekipin, që ka marrë peng qytetin prej vitesh, duke u bërë një barrë e bukur ekonomike dhe shpirtërore. Në Vlorë ishin mësuar me gënjeshtrën kampione se po afron sezoni ideal për të ribërë historinë, sapo mësohen edhe me “gjuetinë e shtrigave”,  ngaqë FSHF përgjon me dënime gojën e Sinan Idrizit, dhe natën e jo më ditën, si për dreq, shfaqet ky shiriti i kapos. Thonë se, në tokën tone, shiriti i kapitenit nuk tregon asgjë, madje nuk është unitet më shumë se përçarje, dhe këtë e ka dëshmuar me talent  edhe Kombëtarja , që ndahet në treva kur lecka hidhet në valle.

Sfidanti.al