Me fat ndaj Kilit, por tri trofe në tri vjet tregojnë kush është Gjermania!

Nuk ishte paraqitja më bindëse e saj, edhe pse u shpall sërish kampione. Gjermania fitoi Kupën e Konfederatave pas finales ndaj Kilit, duke ndjekur shembullin e kombëtares U21 që doli kampione e Europës ndaj Spanjës. Bashkë me triumfin e madh të kombëtares “teutone” të Joakim Lëvit në Botërorin e 2014-ës, janë tri trofe madhorë të fituar nga vendi autoritar europian i futbollit.

Në stadiumin e Shën Petersburgut nuk ishte Gjermania dominuese e 2014-ës dhe as nuk mund të pritej që kjo të ndodhte. Me mjaft lojtarë të rinj në përbërje, Lëv dukej sikur po mendonte më shumë për Botërorin e vitit të ardhshëm në Rusi, por arriti maksimumin. Imponimi 4-1 ndaj Meksikës në gjysmëfinale bëri që të kishte pritshmëri shumë më të madhe për gjermanët, të cilët ishin shumë të rinj për profesionistët kilenë.

Ginter, Rydiger, Kimih, Rudi, Gorecka, Zule, Hektor, Verner, Xhan apo Shtindl ishin disa nga emrat kryesorë, ndërsa në krah të tyre edhe Ter Shtegen, Mustafi apo Draksler. Shtindl ishte autor i golit të vetëm në 21’, ndërsa Kili e mbylli ndeshjen me 10 lojtarë pasi Jara doli jashtë me të kuq. Kilenët patën më shumë raste për shënim, por gabuan, ose nuk u lejuan nga mbrojtja gjermane e portieri Ter Shtegen.

Përfundimisht erdhi trofeu i tretë në 3 vjet dhe prova se futbolli gjerman është rikthyer si fabrikë talentesh, pas krizës së viteve 1998-2004, madje duke prodhuar më shumë sesa në të kaluarën.

Sfidanti.al