Dyzet gola në ligën spanjolle i dhanë Luis Suarezit Këpucën e Artë. Sulmuesi i Barcelonës u shpall më i miri shënues i sezonit të kaluar duke lënë pas një rival të madh si Kristiano Ronaldo. Uruguajani fitoi duelin brenda Spanjës ndaj portugezit duke i dhënë fund dominimit të dyshes Mesi-Ronaldo që vazhdonte që nga viti 2010. Në të vërtetë, ai ia doli pjesërisht dy vjet më parë, kur e ndau fitoren e Këpucës së Artë pikërisht me Ronaldon.
Duken të largëta ditët kur ai kafshonte kundërshtarët siç i ndodhi në Holandë me Ajaksin, në Angli me Liverpulin, apo në Botërorin e fundit me kombëtaren. Nuk thonë kot që “Barcelona është më shumë se një klub”, dhe ia ka dalë ta zbusë edhe një karakter të vështirë.
Suarez e mori trofeun në Barcelonë, në prani të fëmijëve të tij, vajzës Delfina dhe djalit, Benxhamin. Ai theksoi se ishte shumë i lumtur që ia kishte dalë në një konkurrim të ashpër, ndërsa dëshira për sezonin e ardhshëm është që ta fitojë ose ai vetë, ose njëri nga dy shokët e tij të treshes MSN tek Barcelona, Mesi apo Nejmar.
Gjithsesi, si çdo lojtar skuadre, uruguajani ka një dëshirë edhe më të madhe. Ai shpreson që në radhët e Barçës të fitojë të gjithë trofetë e rëndësishëm të këtij sezonit, kampionatin spanjoll, Ligën e Kampionëve dhe Kupën e Mbretit në Spanjë.
B. Kuka