Atleti veteran Xhastin Gatlin shpreson t’i shkaktojë rekordmenit të botës, Usain Bolt, një zhgënjim të madh në përfundim të karrierës. Gjasat janë, që ky Botëror të jetë i fundit për të dy sprinterët, ndërkohë që amerikani 35 vjeçar synon të tregojë edhe një here, se ka qenë dhe mbetet një rival i denjë i Bolt.
“Unë synoja fitoren në kampionatin amerikan dhe ia dola mbanë, pasi doja me çdo kusht të isha në Botërorin e atletikës. Nuk e mohoj, që synoj titullin kampion bote në 100 metra në Londër dhe forma e treguar në kampionat më jep besim”, sprinteri amerikan, që në finalen e asaj gare arriti kohën 9”93. Gatlin synon ta mbyllë me nder karrierën e tij prej humbësi karshi rivalit xhamajkan, të cilin nuk e ka mposhtur asnjëherë.