Frank De Bur mund të mos jetë trajner i Interit nëse nuk fiton sonte ndeshjen ndaj Sauthemptonit. Seria e zezë e rezultateve në Ligën e Europës dhe në kampionat kanë bërë që të soset durimi i drejtuesve dhe aksioneve të klubit zikaltër. Holandezi është në prag të eleminimit nga Europa, ndërsa në Serinë A ndodhet 11 pikë prapa vendit të parë kur janë luajtur vetëm 8 ndeshje, diçka që nuk mundej as të mendohej pas fitores ndaj Juventusit. Diçka e vështirë për t’u shpjeguar ndodhi, dhe duket se patën të drejtë aksionerët kinezë që nuk ishin të bindur për ta pasur De Burin në stol. Trajneri u kërkua me forcë nga presidenti Tohir, i cili duket edhe ai e ka humbur besimin që kishte fillimisht tek ish-drejtuesi teknik i Ajaksit.
I tronditur edhe nga skandali i fundit i kapitenit Ikardi, ekipi lombard do të duhet të japë maksimumin në “San Siro” kundër formacionit anglez, që është tepër i rrezikshëm. sauthemptoni vjen pas fitores 3-1 ndaj Bërnlit në Premier Ligë, duke pasur një renditje të respektueshme në vendin e 8-të. Nën drejtimin e trajnerit Klod Pyel po ecën mirë edhe në kontinent, duke qenë në krye të grupit në Europa League, me 4 pikë pas dy ndeshjeve, ndërsa Interi ndodhet në vendin e fundit pa asnjë pikë. Në klubin zikaltër nuk do të donin aspak një ndryshim trajneri në këtë moment, aq më tepër që në fundjavë luhet në Bergamo ndaj Atalantës për kampionat, por kriza e rezultateve mund ta bëjë shkarkimin e De Burit të pashmangshëm.
B. Kuka