Dortmundi i vë çmimin Obamejangut: Ofertë e limituar!

Do të kushtojë jo më pak se 70 milionë euro, me gjasë që të shkojë në 72. Borusia e Dortmundit ka vendosur çmimin për ata që duan kartonin e Pier-Emerik Obamejangun. Sulmuesi nga Gaboni ishte shënuesi më i mirë i Bundesligës sezonin që sapo u mbyll, duke shënuar 31 gola në vetëm 32 ndeshje, ndaj edhe interesimi për të është tepër i madh.

Jo vetëm gjigandët nga Spanja, Real e Barcelona (që thuhet se e kanë në listë), por edhe klubet angleze si Liverpuli, Mançester Siti, Çelsi apo Mançester Junajtid janë në garë për të marrë shërbimet e njërit prej talenteve më të mëdhenj të botës.

Obamejang shënoi 120 gola në 4 vjet në Bundesligë, por gjithsesi, jo gjithmonë është zgjedhje e parë për spanjollët dhe anglezët. Reali kërkon Kilian Mbapenë, Barcelona dëshiron më shumë mesfushorë dhe mbrojtës, Mançester Junajtid shpreson Moratën dhe Çelsi do Lukakun.

Më të interesuarit mbeten Pep Guardiola tek Siti dhe Jurgen Klop tek Liverpuli. Shefi ekzekutiv i Dortmundit, Vacke, ka bërë me dije edhe afatin e “ofertës së kufizuar”: Pranojmë transferimin deri në 26 korrik kur skuadra nis stërvitjen, më pas nuk mundemi, sepse nuk do të kemi zëvendësues”.

Sfidanti.al