Nuk kanë të mbaruar tronditjet nga dëmtimet tek Barcelona. Dy nga mbrojtësit kryesorë të skuadrës u detyruan të dilnin nga fusha e lojës që në pjesën e parë të përballjes ndaj Mançester Sitit. Fillimisht, trajneri Luis Enrike u detyrua të nxirrte nga loja Zhordi Albën, ndërsa më pas erdhi radha e qendërmbrojtësit me tepër influencë, Gerard Pike.
Futbollisti që krijoi polemika në “Loro Boriçi” duke grisur mëngët e fanelës së Spanjës, u godit në gju nga shoku i tij në kombëtare, David Silva. Luis Enrike u detyrua të improvizonte dhe të vendoste Havier Maskeranon si mbrojtës të djathtë në vend të Zhordi Albës, dhe mediat spanjolle nënvizuan se ky ishte i 10-ti lojtar në këtë rol i provuar në “erën” e Luis Enrikës si trajner. Po ashtu, në fushë hyri Zheremi Matjë në vend të Pikesë, dhe luajti në krah të francezit të ri, Ymtiti.
Barcelona do të bëjë analizat mjekësore të dy lojtarëve për të parë kohën e rikuperimit, ndërsa ka pasur shumë shqetësime dëmtimesh këtë sezon, pasi edhe lojtarë tepër të rëndësishëm si Mesi apo Iniesta janë detyruar të mbeten në infermieri.
B. Kuka