Juventusi ka miratuar një rritje kapitali deri në 250 milionë euro, me synimin për të përmirësuar financat e klubit dhe për të investuar në përforcimin e skuadrës. Sipas planit të drejtuesve, rreth 100 milionë euro pritet të vihen në dispozicion për investime të reja, ku prioritet do të ketë ekipi i parë.
Sipas Football Italia, duke iu referuar Gazzetta dello Sport, 99.9 për qind e aksionarëve votuan pro autorizimit të bordit për të nisur procesin, gjatë mbledhjes së zhvilluar të martën në stadiumin Allianz.
Rritja e kapitalit synon të forcojë gjendjen financiare të klubit, të rrisë konkurrueshmërinë sportive dhe të mundësojë investime në asete strategjike, përfshirë stadiumin dhe zhvillimin e markës së Juventusit. Klubi vjen nga një sezon financiar i vështirë. Për sezonin 2025/26, Juventusi raportoi humbje prej 66 milionë eurosh, kundrejt 58.1 milionë eurove në sezonin paraardhës. Një nga faktorët që ndikoi në përkeqësimin e bilancit ishte moskualifikimi në Ligën e Kampionëve.
Aksionari kryesor, Exor, që zotëron 65.4 për qind të aksioneve, ka marrë përsipër të mbulojë pjesën që i takon në rritjen e kapitalit, si dhe çdo shumë që mund të mos mbulohet nga aksionarët e tjerë. Kompania ka paguar tashmë 60 milionë euro si paradhënie.

