Ishin plot 2 milionë njerëz që mbushën rrugët dhe sheshet në qendër të Oklendit për titullin e Golden Stejtit në NBA. Tifozët natyrshëm ishin në qiellin e shtatë, ndërsa skuadra më e mirë e basketbollit amerikan bëri paradën tradicionale. Stefën Kërri, Kevin Durant, kapiteni Klej Tompson, Drejmond Grin dhe të tjerët u ngjitën në autobusin me dy kate, dhe pa çati, për të përshëndetur nga afër publikun e jashtëzakonshëm.
Gjithsesi, tifozët nuk do të jenë të lumtur në 2019 kur Golden Stejti do të largohet nga qyteti dhe do të shkojë në San Francisko, po në Kaliforni. Klubi po ndërton Pallatin e ri të Sportit, veçse ka një rrethanë lehtësuese për tifozët, San Francisko, Oklendi dhe San Hozeja janë tri qytete të përfshira në një hapësirë të vetme urbane në Gjirin e San Franciskos, me popullsi gati 9 milionë banorë.
Titulli i pestë kampion u arrit në mënyrë triumfale ndaj Klivlend Kavalierisit dhe Lebron Xhejmsit dhe Drejmond Grin nuk mundi të mos provokonte. Në fanelën e tij ishte stampuar fjala :Kuiki” (Quickie), një nënkuptim për Arenën e Klivlendit, “Kuik Louns Arena” (Quick Loans Arena). i pyetur përse, Grun u përgjigj se fjala “kuiki” ishte sepse gjithçka ndodhi shumë shpejt (kuik – shpejt në anglisht), por besohet se ishte një përgjigje për provokimin e Lebronit, që një ditë pas humbjes në finale, i shfaq me një fanelë ku shkruhej “Luftëtari më i madh” (Ultimate Warrior). Ishte provokim sepse skuadra e Golden Stejtit quhet Warriors, luftëtarët.
Sfidanti.al