Maran kërkon talentet, mediat kanë gati historinë e madhe

Gjatë ditëve të fundit, me afrimin e datave të ndeshjeve të Kombëtares, trajneri Rolando Maran është shfaqur mjaft aktiv në ambientet sportive, ku me penë ka mbajtur shënime brenda dhe jashtë fushave të blerta.

Me siguri, ndonjë prurje nga kampionati shqiptar e kemi merituar dhe, po me kaq mundësi, kjo do të shitet si diçka e madhe që vjen pikërisht nga një trajner, të cilit FSHF-ja po i beson verbërisht.

Do të ketë edhe nga ata që do të kalojnë në një stad më të lartë elozhesh, për të mbuluar hallkën më të dobët të sistemit, të rinjtë që tashmë, sipas teorisë që qarkullon, “po pushtojnë Kombëtaren”.

E vërteta është që shumë prej skuadrave përfaqësuese të niveleve të mesme apo të larta e kanë prej vitesh edhe një bërthamë që rritet brenda kampionateve respektive. Shqipëria ende jo.

Gjithsesi, do të duhet të presim për të parë e lexuar “shpikjet” e reja të mediave tona, edhe pse një ekstrakt të qëndrimeve të gazetarëve e kemi marrë pas tryezës së frytshme e të bollshme të Maranit me një grup gazetarësh…

Pirro Bardhyli