Xhaferri po “bërtet” në vendin dhe kohën e gabuar

Në sistemet demokratike, pakënaqësia shprehet me votë; rrugët e tjera nuk të garantojnë sukses për objektivin e vendosur. Presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferri, me siguri që e di mirë një gjë të tillë, sepse ky është thelbi i çdo vendi demokratik, nga ku rrjedhin edhe institucionet e ndërtuara mbi të njëjtën formulë.

Dikush do të thotë: Po në rastet kur as zgjedhjet nuk adresojnë problematikat? Në këtë rast, personi që voton e ka minimalisht ndërgjegjen të pastër dhe, mbi të gjitha, zërin e lirë për të kritikuar. Nuk është ky rasti i presidentit të shkodranëve dhe as i të gjithë presidentëve që, mbi zë apo nën zë, nuk janë aspak të kënaqur me menaxhimin që i bëhet sektorit të arbitrimit të ndeshjeve në Shqipëri.

VAR-it ia kemi gjetur kleçkën, duke e përqasur shpeshherë me interesat e momentit dhe peshën e pushtetit. Dikush mund t’i cilësojë vendimet e regjisë së arbitrimit si amatore, por në fund të ditës, rregulli është i shkruar dhe askush nuk mund të bëjë më shumë sesa “rebelimin mediatik”. Kjo fundjavë, që mund të kishte përfunduar me një bilanc edhe më të rënduar për shkak të dhunës së eksportuar edhe jashtë stadiumit të Elbasanit, tregoi edhe një herë brishtësinë e seriozitetit në organizimin e ndeshjeve të Superiores, a thua se po luajmë ndeshje lagjesh.

Kjo nuk është hera e parë dhe, me shumë mundësi, as e fundit që Vllaznia dhe titullari i saj “rebelohen” ndaj gjykimit, por jemi ende në një “herë të parë” kur Xhaferri dhe presidentët e tjerë të ngrenë zërin në ditën e votimeve dhe të diskutimeve në zyrat ku merren vendimet e rëndësishme. Nuk ka ndodhur asnjëherë, qoftë edhe për të shprehur një qëndrim të karakterit politik për mënyrën se si po menaxhohet futbolli. Derisa kjo të ndodhë, atëherë presidenti mund të bërtasë, por askush nuk do ta dëgjojë.

Pirro Bardhyli