Kaosi i merkatos, krizë identiteti në Superiore

Vllaznia ribën pothuajse të gjithe skuadrën nga e para, Tirana mbetet në klasë në pritje të korrigjimit të provimit nga FIFA, Skënderbeu endet në zonën gri mes bllokimit të merkatos dhe dritës jeshile, Partizani afron dhe largon pa kriter ndërsa pjesa tjetër e ekipeve të Superiores ndjek pothuajse të njëjtin trend.

Kategoria Superiore e këtij sezoni prezantohet me vuajtje në fotografinë e parë të sezonit të ri me shumë pikëpyetje. Tirana u shkatërrua në Rrogozhinë me justifikimin se nuk aktivizonte dot blerjet e reja por pyetja është: çfarë po bën klubi për të zhbllokuar afrimet dhe pse po mbipopullohet me lojtarë për të cilët paguan rrogat dhe në anën tjetër nuk arrin të shlyejë detyrimet që ka?

Logjikë tërësisht e kundërt me ligjet bazë të biznesit dhe menaxhimit. Po Vllaznia çfarë bën? Transferon në merkato një lojtar dhe e shet sërish Brenda të njëjtës merkato? Cila është logjika e kësaj lëvizjeje? Kaq poshtë kanë rënë klubet shqiptare? Paratë janë por sipas gojëdhënave ato qarkullojnë në qese të zeza nëpër dhoma zhveshjesh, problem është kanalizimi i tyre në duart e njerëzve që dine të bëjnë futboll…

Pirro Bardhyli