Egnatia do të udhëtojë drejt Norvegjisë me disa probleme në prapavijë për ndeshjen vendimtare ndaj Lillestrøm, pasi trajneri Nevil Dede nuk do të ketë në dispozicion as Andre Jagon, i cili i bashkohet Haimes në listën e mungesave. Klubi rrogozhinas ka bërë publike listën me 19 futbollistë të grumbulluar për transfertën e kthimit të play-off-it të Europa League, ku nuk figuron Jago, duke bërë që Dede të ketë dy mungesa të rëndësishme në krahët e mbrojtjes. Haime kishte munguar edhe në ndeshjen e parë të zhvilluar në “Arena Egnatia”, ndërsa Jago ishte aktivizuar si titullar në atë përballje, ndërsa për Haime është raportuar se mungon për shkak të një dëmtimi. Egnatia dhe Lillestrøm u ndanë në barazim 0-0 në Rrogozhinë, ndaj gjithçka mbetet e hapur për ndeshjen e kthimit në Norvegji.
Për kampionët e Shqipërisë bëhet fjalë për një transfertë historike, pasi Egnatia kërkon të bëjë hapin e fundit drejt fazës së ligës së Europa League. Nëse arrin të eliminojë skuadrën norvegjeze, rrogozhinasit do të sigurojnë pjesëmarrjen në këtë kompeticion dhe jo në fazën e ligës së Conference League, të cilën e kanë garantuar tashmë. Me objektivin historik përpara, Dede duhet të gjejë zgjidhjet e duhura për të përballuar mungesat dhe për të kërkuar kualifikimin në një nga transfertat më të rëndësishme të historisë së klubit.

