Haleluja! FSHF, “xhelati” që dënonte stadiumet, gjen.. popull për të mbushur Arenën

Haleluja! FSHF ditka edhe të mbushë stadiume, pasi deri tani ka treguar  vetëm talentin për t’i boshatisur ato.  “Elbasan Arena” është  bërë skena e një eksperimenti të suksesshëm  në ndeshjen lilipute të Shpresave tona dhe asaj të Estonisë, pasi zyrtarët me”fërshëllimën”  premierë  arritën të grumbullonin afro 5000 vetë në një arenë të mbushur.. më shumë me pahir sesa me hir. Edhe pse nuk fituam dot ndeshjen ndaj Estonisë,  në një përballje  për të cilën ishte thënë se kishte vlerën e kualifikimit,  ajo që ndodhi   s’matet me pikë.  Largojeni mendjen se humbëm shumë raste në fushë, goli  i madh i fitores u bë në shkallët e stadiumit, duke  dëshmuar se me “urdhër të peshkut”  stadiumeve mund t’i rikthehet oksigjeni.  Ishte vetëm një ndeshje simbolike për moshat 21-vjeçare,  por kur në stol është Alban Bushi dhe jo Redi Jupi, edhe zemra zyrtare është gati të shkulet nga vendi për të theksuar ndryshimin. Ju kujtohet një frazë e hidhur e ish-trajnerit Jupi se kishte raste që kur luante Shpresa e tij, sa  zyrtarët e braktisnin ndeshjen me dajre. Imagjinoni ,çfarë lajthitje, të mendoje që të  ndaheshin ftesa dhe urdhëresa  për t’i  futur furgonët me njerëz drejt e në stadium..

Thonë se, të gjitha ndeshjet e ekipit “Shpresa” , të paktën këtë sezon, edhe pse nuk dihet mirë se çfarë do të ndodhë në fund te sezonit, një bast mund ta vini me siguri në skedinë: në stadium do të ketë më shumë popull, më shumë zyrtarë, më shumë nga ata që i kanë këmbët e lidhura pas topit që u bëhet gjyle nga mënyra e çnderuar e bashkëpunimit.  Sidoqoftë, më mirë një stadium i mbushur me “pengje”  sesa një stadium, nga ato që kemi përjetuar gjatë sezonit, pa gojë dhe pa jetë që i dërgon njerëzit e tij edhe nëpër pemë, të “këndojnë” në vend të zogjve.  Pyetja  që bëhet në këto momente, nuk është pse s’e  fituam dot ndeshjen kur  parkuam para portës së Estonisë, një tjetër gjë na mundon më shumë:  pse ka shpërthyer dashuria për këto mosha? Mjerë ai që beson se do të sillemi ndryshe me djemtë 21 vjecare, të cilët  vetëm me pasaporta trokasin në derën kuqezi, sepse shqetësimi  i madh nuk lidhet me ta, por me fatin e trajnerit të tyre, Bushi…

Sfidanti.al