Gushti i nxehtë i politikave…ndërkombëtare

Në verën e zjarreve që kanë pushtuar vendin, një vatër e nxehtë ka vënë në lëvizje edhe Federatën Shqiptare të Futbollit. Sikleti i presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino është trajtuar edhe në zyrat e futbollit tonë, madje me seriozitet. Qëndrimi publik i FSHF-së për të tërhequr mbështetjen ndaj zvicerianit Infantino ka bërë jo pak përshtypje.

Shqipëria është rreshtuar krah Uellsit, Anglisë, Norvegjisë, Serbisë, Rumanisë e shumë vendeve të tjera kryesisht europiane që besojnë se epoka e tij në krye të FIFA-s është mbyllur. Nuk ka asgjë të keqe në këtë qëndrim deri diku të kuptueshëm por ndoshta mos do të ishte më e udhës që të prisnim edhe pozicionin e Italisë, Francës apo Spanjës si vende me interesa shumë më të mëdha në lojën e madhe që po zhvillohet mes pak kilometrave distancë nga Nyoni në Zyrih?

Por edhe nëse këtë qëndrim nuk e cilësojmë në “pozicion jashtë loje” dhe e marrim si të mirëqënë faktin që FSHF beson te vlerat e vërteta të futbollit, pyetja që lind është: A e ka luksin Shqipëria të refuzojë pjesëmarrjen në garat e FIFA-s siç ka paralajmëruar UEFA? Tashmë jemi pozicionuar qartë dhe bashkë me veprimet duhet të marrim parasysh edhe pasojat që në këtë përplasje globale, mund të jenë shatërruese për lojtarët, trajnerët, tifozët dhe të gjithë komunitetin tonë të vogël që jeton përditë me lojën e luajtur dhe jo me politikën e orekseve të tryezës së madhe.

Pirro Bardhyli