Asllani dhe Broja në udhëkryq

Merkatoja e verës po hyn në fazën e saj vendimtare, ndërsa pjesa më e madhe e futbollistëve të Kombëtares shqiptare tashmë kanë përcaktuar të ardhmen. Disa kanë ndërruar skuadër, të tjerë kanë zgjedhur të vijojnë aventurën në klubet ku ndodheshin, por dy prej emrave kryesorë të kuqezinjve vijojnë të jenë në pritje. Kristjan Asllani dhe Armando Broja ndodhen në një situatë të ngjashme. Të dy lojtarët nuk bëjnë më pjesë në planet e klubeve të tyre aktuale dhe tashmë janë në kërkim të një destinacioni të ri. Në rastin e Asllanit, Interi e ka bërë të qartë qëndrimin e tij: mesfushori nuk konsiderohet pjesë e projektit për sezonin e ri. Pavarësisht kësaj, deri tani nuk ka pasur një zhvillim konkret që ta çojë në një tjetër klub.

Emri i 23-vjeçarit është lidhur gjatë kësaj vere me disa skuadra të Serie A, mes tyre Sassuolo, Cagliari dhe Atalanta. Në skenë kanë dalë gjithashtu pista jashtë Italisë, me Al-Ittihad në Arabinë Saudite dhe Hull City në Championship, por asnjë prej këtyre interesimeve nuk është konkretizuar deri në këtë pikë.

Edhe Armando Broja po përjeton një situatë të ngjashme. Sulmuesi shqiptar nuk e ka të qartë të ardhmen e tij dhe vazhdon të mbetet jashtë planeve të klubit anglez. Në merkato është përmendur një interesim nga Lazio, ndërsa Cagliari ka qenë një tjetër prej destinacioneve të raportuara për 23-vjeçarin. Megjithatë, ashtu si në rastin e Asllanit, deri tani nuk ka ardhur oferta që do të sillte një zgjidhje konkrete. Për të dy futbollistët, gushti pritet të jetë muaji i kthesës. Koha në dispozicion po shkurtohet dhe Asllani e Broja kanë nevojë të gjejnë një klub ku të luajnë rregullisht dhe të rifitojnë vazhdimësinë.