“Çmenduri” në Madeira për ‘dasmën’ e Ronaldos, por çifti nuk u shfaq

Qindra persona u mblodhën këtë të shtunë pranë vendeve ku raportohej se do të zhvillohej dasma e Cristiano Ronaldos dhe Georgina Rodríguez, por gjithçka rezultoi të ishte vetëm një thashethem.

Ishulli i Madeira-s u përfshi nga një atmosferë e pazakontë, pasi qindra turistë dhe banorë u grumbulluan pranë Katedrales së Funchal-it dhe hotelit luksoz Savoy Palace, në pritje të Cristiano Ronaldos dhe Georgina Rodríguez.

Shkak për këtë pritshmëri ishte një raportim i gazetës britanike ‘The Sun’, e cila gjatë javës kishte bërë të ditur se këto dy ambiente do të ishin vendet ku do të zhvillohej dasma e çiftit këtë të shtunë në Funchal. Sipas raportimit, ceremonia fetare do të mbahej në Katedrale dhe më pas festa do të zhvendosej në hotelin me pesë yje.