Egnatia u mposht me rezultatin 3-1 në transfertë nga Shamrock Rovers, në ndeshjen e parë të raundit të tretë kualifikues të Europa League-s, duke e vështirësuar rrugën drejt fazës “play-off”.
Vendasit kaluan në avantazh në minutën e 29-të, kur Graham Burke u tregua i saktë nga pika e bardhë, pasi arbitri akordoi penallti për Shamrock Rovers. Kampionët e Shqipërisë reaguan në fundin e pjesës së parë. Pas ndërhyrjes së VAR-it, Egnatias iu dha një penallti në minutën e 40-të, por Guillem Jaime u ndal nga portieri Ed McGinty. Megjithatë, në vijim të lojës Aaron Greene devijoi topin në portën e tij, duke rikthyer baraspeshën në 1-1.
Në pjesën e dytë vendasit shfrytëzuan maksimalisht goditjet nga këndi. Në minutën e 55-të, Roberto Lopes realizoi me kokë nga afër për 2-1, ndërsa vetëm dy minuta më vonë Aaron Greene u shlye për autogolin e pjesës së parë, duke dërguar në rrjetë një tjetër krosim nga këndi dhe duke vulosur rezultatin 3-1. Dinamo është mundur 1-0 nga Auda në ndeshjen e parë të turit të tretë kualifikues të Conference League.
Pjesa e parë është mbyllur në barazim pa gola 0-0. Vendasit kanë kaluar në avantazh në minutën e 68-të me Diedhiou, ndërsa në minutën e 71-të Përndreca është ndëshkuar me karton të kuq për blutë.
Një humbje minimale në transfertë për skuadrën e Dajës, që do të synojë përmbysjen e madhe dhe kualifikimin në ndeshjen e kthimit në “Elbasan Arena” pas një jave.

