Presidenti i Trabzonspor i vendos çmim Ernest Muçi-t

Ernest Muçi vijon të jetë në qendër të merkatos verore, pas një sezoni mbresëlënës me Trabzonsporin. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare ka tërhequr vëmendjen e disa klubeve, ndërsa interesi për të nuk mungon as nga kampionati anglez. Sipas raportimeve të mediave turke, Aston Vila ka shfaqur interes konkret për 24-vjeçarin, por drejtuesit e Trabzonsporit kanë bërë të qartë se nuk kanë ndërmend të heqin dorë lehtë nga një prej lojtarëve të tyre më të rëndësishëm.

Presidenti i klubit, Ertugrul Dogan, u ka komunikuar drejtuesve të Aston Vilës se bisedimet për transferimin e Muçit nuk do të nisin për një ofertë më të ulët se 20 milionë euro. Ky është vlerësimi që Trabzonspori i ka bërë kartonit të futbollistit shqiptar, pas paraqitjeve të shkëlqyera në sezonin e kaluar.

Për momentin, Aston Vila është tërhequr nga negociatat, por çmimi i vendosur nga klubi turk mbetet i pandryshuar për çdo skuadër që synon të sigurojë shërbimet e Ernest Muçit. Sulmuesi kuqezi konsiderohet një nga zbulimet e kampionatit turk dhe një nga asetet më të çmuara të Trabzonsporit në këtë merkato.