Argjentinasi u është propozuar zikaltërve dhe i bashkohet Diaby në listën e trajnerit Chivu për rolin që i mungon aktualisht në skuadër. Larg shkohet me lojtarë krahu që janë në lartësinë e duhur. Dhe Interi këtë do, prandaj po kërkon një anësor të djathtë me kualitet, një “binjak” të Federico Dimarco që luan në të majtë, një zëvendësues të denjë të Denzel Dumfries.
Pas Moussa Diaby të Al-Ittihad, emri i ri që ka dalë në skenë është Nico Gonzalez. Argjentinasi nuk bindi te Juventusi dhe sezonin e fundit ishte huazuar tek Atletico Madrid. Ai nuk dëshiron të kthehet në Torino dhe Interi po studion situatën. Lojtari është ende me pushime, por ia ka bërë të qartë klubit dhe trajnerit Luciano Spalletti se dëshiron të ndryshojë ambient, pas vërshëllimave që ka marrë me fanellën bardhezi. Zgjedhja e parë është rikthimi te Atletico Madrid, ku ka luajtur 24 ndeshje dhe ka shënuar 5 gola vitin e kaluar. Por në aksin Torino-Madrid nuk ka asnjë akord deri tani.
Juventusi e vlerëson Gonzalez jo më pak se 27 milionë euro. Në këtë situatë është hapur edhe pista e rikthimit në Itali, por me fanellën e Interit. Klubi zikaltër po vlerëson me kujdes mundësinë e afrimit të shokut të Lautaro Marinez në kombëtare. Nuk ka ende kontakte mes klubeve, por Interi e pëlqen realisht profilin e argjentinasit. Mund të ketë edhe ndonjë shkëmbim me Davide Frattesi.

