PSG arkëton mbi 150 milionë euro

Paris Saint-Germain po zhvillon një merkato mjaft fitimprurëse. Me shitjen përfundimtare të Randal Kolo Muanit te Juventusi, kampionët e Europës kanë kaluar shifrën e 150 milionë eurove të arkëtuara nga largimet e futbollistëve që nuk bënin më pjesë në planet e trajnerit Luis Enrique.

Klubi francez zyrtarizoi transferimin e sulmuesit tek Juventusi për 38 milionë euro, ndërsa marrëveshja parashikon edhe deri në 12 milionë euro bonuse. Në total, PSG mund të përfitojë 50 milionë euro nga lojtari, të cilin e kishte blerë tre vite më parë për 95 milionë euro nga Eintracht Frankfurti. Aventura e Kolo Muani në Paris nuk rezultoi asnjëherë ashtu siç pritej. Ai realizoi 11 gola në 54 ndeshje gjatë një sezoni e gjysmë, përpara se të huazohej fillimisht tek Juventusi dhe më pas te Tottenhami. Pas rikthimit nga Anglia, francezi stërvitej me ekipin U-21 të PSG-së, së bashku me Renato Sanches, në pritje të një transferimi.

Falë kësaj shitjeje, PSG ka arkëtuar tashmë 156 milionë euro vetëm nga largimet e lojtarëve rezervë ose të panevojshëm. Transferimi më i madh i verës ishte ai i Gonçalo Ramosit te Milani. Klubi italian pagoi 74 milionë euro për sulmuesin portugez, i cili pas tri sezonesh në Paris u largua me një bilanc prej 45 golash në 131 ndeshje, edhe pse shpesh kishte rolin e zëvendësuesit.

Një tjetër largim i rëndësishëm ishte ai i Lee Kang-in. Mesfushori ofensiv koreano-jugor u transferua tek Atletico Madridi për 40 milionë euro, pasi me PSG-në regjistroi 16 gola dhe 16 asistime në 124 paraqitje. Po ashtu, mbrojtësi 19-vjeçar Noham Kamara u shit përfundimisht te Lyoni i Paulo Fonseca-s për 4 milionë euro.

Në total, PSG ka siguruar deri tani 156 milionë euro nga shitjet në këtë merkato, duke regjistruar sezonin e dytë më fitimprurës në historinë e klubit për sa u përket largimeve. Rekordi mbetet vera e sezonit 2023/24, kur parizienët arkëtuan 210 milionë euro nga shitjet, edhe pse në atë periudhë investuan plot 454 milionë euro në afrime të reja.