Një përmbysje e jashtëzakonshme në Kazakistan, një skuadër me karakter, krenari dhe besim deri në sekondën e fundit.
Dinamo nuk u dorëzua përballë eksperiencës europiane të Astanës, as disavantazhit të ndeshjes së parë. Me shpirt gare dhe mentalitet fituesi, blutë treguan se sezoni i kaluar, ku arritën deri në Play-Off të Conference League, nuk ishte rastësi.
Edhe përballë momenteve të vështira, Dinamo reagoi. Pas një penalltie të diskutueshme për vendasit, skuadra shqiptare ndryshoi ritmin e takimit. Penalltia e fituar në fillimin e pjesës së dytë dhe kartoni i kuq për Kazukolovas i dhanë mundësinë Dinamos të impononte lojën.
Dita barazoi, Berisha përmbysi, Lorenco Vila vulosi dhe Mustafa Koma kompletoi festën. Një 4-1 dramatik, i ardhur nga një skuadër që besoi deri në fund.
Një paraqitje e madhe e të gjithë grupit, duke nisur nga siguria e Teqjes në portë, mbrojtja solide, mesfusha luftarake dhe sulmi vendimtar. Edhe zëvendësuesit dhanë kontributin e tyre, duke treguar forcën e një skuadre të kompletuar.
Dhe pas kësaj nate që do të mbetet gjatë në kujtesë, meritë e madhe shkon edhe për arkitektin e kësaj Dinamoje, Ilir Daja, që ka ndërtuar një skuadër me identitet dhe mentalitet europian.

