A mjaftojnë 200 milionë euro për ringjalljen e Interit

Interi i Milanit, gjatë sezonit të ardhshëm, do të udhëhiqet nga Luçiano Spaleti, ndërkohë që ekipi “neroazur”, gjatë kësj vere, pritet që t’i nënshtrohet një “remonti” të madh. Pronarët e këtij ekipi gjigant të Milanit, kompania “Suning”, tanimë, kanë përcaktuar buxhetin për transferimet verore që do të përbëhet nga 110 milionë euro. Megjithatë, mbas shitjes së disa lojtarëve, ky buxhet mund të arrijë deri në 200 milionë euro. Më shumë para në arkë do të sjellë shitja e Ivan Perishiçit, por nga ky klub me siguri që do të largohen edhe Jovetiçi, Rakonia, Brozoviçi dhe Muriljo.

Ekipi “neroazur” ka më shumë nevojë për futbollistë të mesfushës. Media njofton se përforcimet e reja të Interit do të jenë Toliso, Nzonzi dhe Naingolani. Sa i përket mbrojtjes, objektiva kryesorë janë Antonio Rudigeri i Romës, për të cilin “neroazurët”, sikurse thuhet, janë gati të paguajnë 40 milionë euro, dhe mbrojtësi i majtë i Nisës, Dolbert. Spaleti, ndërkohë, synon që të sjellë edhe një sulmues tjetër që të jetë alternativë për Mauro Ikardin.

Sfidanti.al