Reali do ta blejë Mbapen vetëm nëse prishet “BBC-ja”!

Mediumet në Spanjë japin lajmin se klubi “mbretëror” do t’i nisë  përpjekjet për tërheqjen e supertalentit të ri të Monakos, Kilian Mbape, vetëm në rast se nga Reali do të largohet njëri nga treshja “BBC” (Bejli, Benzema dhe Cristiano) dhe, ka shumë të ngjarë, që i larguari eventual të jetë Geret Bejli. Gazeta “Marka” shkruante, dje, se, pak kohë më parë, presidenti i Realit, Florentino Perez, dhe trajneri Zinedin Zidane kanë biseduar për angazhimin e mundshëm të Mbapes në radhët e ekipit madridas që, në fakt, është në krye të “listës së dëshirave” të klubit mbretëror.

Sidoqoftë, problemi kryesor është ai financiar, pasi Monako nuk do të heqë dorë kollaj nga “perla” e vet mjaft e çmuar dhe me siguri që do të duhet ndonjë shumë rekord që Kiliani i ri të shitet. Spekulohet se bëhet fjalë për 135 milionë euro. Problemi i dytë është ai lidhur me atë se ku ky lojtar i ri do të përfshihet në ekipin e Realit? Sikurse thuhet, Zidane konsideron se Ronaldo, Bejli, Benzema dhe Mbape nuk mund të funksionojnë bashkë, kështu që duhet të largohet ndonjëri nga “BBC-së”, pra, të lirojë vendin. Kristiano Ronaldo dhe Karim Benzema janë të paprekshëm, kështu që “hallka më e dobët” i bie që të jetë Bejli!

Sfidanti.al